KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Testarossa nuk pėrkthehet
 “Testa Rossa” nuk përkthehet
 
Publikuar më 17.05.2015

U bënë disa vite që në televizionet shqiptare transmetohen gara automobilistike, kryesisht “Formula 1”, por pavarësisht nga komentatorët dhe stacioni ku është transmetuar, të tërë përmendin pa pushim emrin “kokëkuqja”, sa herë është fjala për makinat Ferrari, që i takon të jetë përkthimi i emrit “Testa Rossa”. Për saktësi, në gjithë historinë e markës Ferrari, pavarësisht se janë prodhuar me dhjetëra modele sportivë dhe rrugorë, vetëm tre herë është përsëritur ky emërtim. Me “Testa Rossa” nuk nënkuptohet çdo Ferrari “e kuqe” dhe në asnjë rast nuk është përdorur në veturat F1. Zanafilla e këtij emërtimi vjen nga motori 4 cilindërsh 2 litra i vendosur te modeli “500 Mondial” në vitet 1956-57, koka e motorit të të cilit ishte lyer me të kuqe dhe që u quajt “500 TR”. Po në vitin 1957 del modeli “250 Testa Rossa” me motor 12 cilindërsh, i cili fiton tre kampionate në kategorinë “Marka” (1958, 1960 dhe 1961), duke e ngritur në qiell famën e këtij emri. Duke përdorur përsëri këtë motor (por jo emertimin TR), në vitin 1962 del modeli “250 GTO” (Gran Turismo Omologato), i cili fiton për tre vjet rresht në kampionatin “Marka”, kategoria GT (1962, 1963 dhe 1964) dhe vetëm ndryshimi i rregullores teknike e largon nga skena sportive. Të dy këto modele janë veturat Ferrari më të kërkuara nga koleksionistët. Në vitin 1984 prezantohet modeli “Testarossa” (shkruhet e pandarë) e pajisur me motor 12 cilindra horizontal të kundërvendosur (12 V 180°). Në vitin 1991, “Testarossa” pëson disa ndryshime të vogla dhe quhet “512TR”, ndërsa në vitin 1994 del evolucioni i fundit i quajtur “F512M”, i cili dallohet lehtësisht prej fenerëve të dukshëm, ndërsa te dy paraardhësit ishin të fshehur.
Kjo është shkurtimisht historia e emrit “Testarossa”, i cili është pjesë e emrit të disa modeleve të caktuar dhe nuk mund të përdoret sa herë që në ekran na shfaqen Vettel ose Raikkonen, ndërsa përdorimi i shqipëruar “kokëkuqe”, mund të bëhet ndonjëherë, sa për të thyer monotoninë e përsëritjes “Testarossa”, por duhet gjetur rasti kur ka ndonjë dokumentar që përshkruan ato modele që citova më lart.
 

 Emërtimi i makinës i vendosur nga prodhuesi nuk përkthehet! Kur vjen momenti i zgjedhjes së emrit, pas studimit të kryer nga vetë prodhuesi, emri prezantohet dhe diskutohet me të gjithë rrjetin e shitjes, sepse një emër i përshtatshëm në një vend, mund të mos jetë i përshtatshëm në një tjetër. Arsyet janë të shumta, duke filluar me veçoritë fonetike duke vazhduar me traditën, shijet e publikut dhe deri te përmbajtja, sepse në gjuhë të ndryshme disa emra kanë përmbajtje të turpshme ose janë ogurzinj. Kjo është arsyeja që i njëjti model tregëtohet me emra të ndryshëm në vende të ndryshme (ose kontinente). Sa për shembull, mjafton Volkswagen Jetta (amerika e veriut) - Volkswagen Vento (Evropë). Në Shqipëri kemi patur “Lumverdha” dhe “Flamuri i kuq”, do të thotë dikush që ka shfletuar menunë “Makina” nga kjo faqe, ose të rriturit që mbajnë mend vitet 60-të e më pas. Këtu vlejnë po ato shpjegime që u thanë më lart për veçoritë gjuhësore, ndryshe shqiptarët duhet të mundoheshin e të mbanin mend emra të tillë si “Huanghe” ose “Hong Qi”, për më tepër të shkruara kinezçe. Po të vije vërdallë “Zisit kinez”, do të gjeje vetëm hieroglife, përkthimi i të cilëve do të thonte “Çlirimi”, por shqiptarët e zgjidhën thjesht e bukur, duke e quajtur sipas origjinalit “ZIS”. Ndoshta gaboj, por në ato vite, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që importoi automjete kineze dhe kuptohet sa interesant do të kishte qenë sot një muze me automjete dhe makineri kineze në mes të Evropës.
Disa vite më parë filluan të dalin në shtyp emërtime të tillë si “Audi A4 Katër” (Audi A4 Quattro), “Fiat Pikë” (Fiat Punto). Duke u treguar fanatikë të shqipërimit, përse nuk përkthyen edhe vetë emrin “Audi”, sepse sipas legjendës, ky emër ka të bëjë me origjinalin “Horch”, e më pas mund të arrihej deri te shqipja. Në disa raste, për shkak të mungesës së njohurive teknike, filloi të shkruhej “motor 4,8 cilindra, 6,8 cilindra, 8,8 cilindra”! Duke përkthyer mekanikisht nga italishtja dhe pa njohuri në këtë fushë, autori ngatërronte ciklin termodinamik “Otto” të motorëve me benzinë (nga inxhinjeri gjerman Nicolaus August Otto) me numrin “tetë” dhe frazën “motore 4 cilindri, Otto”, çuditërisht  e përkthente në variantet e mësipërme, pa e ditur që numri i cilindrave të një motori nuk mund të jetë me presje dhjetore. Edhe në dokumentarët historikë nga luftërat e ndryshme, dëgjon shpesh të përkthyer emra makinash, avionësh, tankesh, deri edhe te emri i formacionit ushtarak “Armatë”, i cili bëhet “ushtria e parë”, “ushtria e tretë”, e kështu me radhë. Shembuj ka shumë, por po e lë me kaq, sepse është kompetencë e të tjerëve për ta trajtuar siç duhet këtë temë.


 <<< Kthehu pas