KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Aviacioni Shqiptar

Aviacioni shqiptar

 

Gent Domi – Botuar në Revistën “AutoMoto plus” Nr.10, Tetor 2004

 

Vitin e ardhshëm mbushen 50 vjet nga dita që edhe Shqipëria u rendit në vendet me aviacion reaktiv. Por festimi i këtij përvjetori  mund të jetë i veçantë. Aksidenti i pilotit Jani Tarifa pak javë më parë, duket se e nxorri në pension dhe të mbijetuarin e fundit nga gjuajtësit reaktiv, atë MiG-19. Në fakt, MiG-21, më moderni i aviacionit tonë, e mbylli karierën në 2003-shin. Qartë, të përjetshëm nuk ka, por në kushtet e sotme të shqipërisë, e ardhmja e aviacionit reaktiv është e dyshimtë. Janë të vjetër dhe do të blihen të rinj, thotë dikush. Mrekulli, po të mendojmë që vende me potencial me të madh ekonomik dhe që prodhojnë vetë avionë modernë, mbajnë akoma në përdorim, madje vazhdojnë të modernizojnë avionë të viteve 60-të. Rumania, përshembull, megjithëse ka MiG-29, preferon t’i lërë në tokë dhe përdor 120 MiG-21 të modernizuar (MiG-21 Lancer, bashkëpunim Izrael-Rumani). India me 1500 avionë, ndërmjet të cilëve edhe më modernët, preferon të mbajë akoma qindra MiG-21 të modernizuar nga vetë rusët. Vetë perëndimi i konsideron më të rrezikshëm se MiG-29 dhe F-16 të serisë së parë.

Problemi i parë që duhet zgjidhur është se, do të ketë apo jo, gjuajtës supersonikë në Shqipëri dhe në qoftë se po, të cilës gjeneratë do të jenë? Me vështirësitë ekonomike që kemi, ne nuk ngrëmë dot në ajër këta që kemi trashëguar, që i njohim mirë dhe dimë t’i pilotojmë; mendo sikur të blejmë të rinj dhe me kosto më të lartë në shfrytëzim. Sipas standarteve të kohës, një pilot ushtarak duhet të kryejë jo më pak se 100 orë fluturimi në vit, ndërsa për të përgatitur një pilot, duhen mbi 1 milion dollarë.

Aksidenti me MiG-19 disa javë më parë, i ndezi si asnjëherë tjetër diskutimet për aviacionin dhe të ardhmen e tij. U thanë të mira dhe të këqia, nga përkrahës apo kundërshtarë. Disa dhe u çuditën se si është e mundur që kemi akoma të tillë avionë. Disa bëjnë dhe krahasime me më modernët. Qartë, po të karahasoheshin me amerikën, asnjë vend tjetër nuk do të mbante avionë. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Pa menduar se kjo revistë modeste do të zgjidhë probleme të tilla, për ata që pëlqejnë krahasimet, më poshtë do të jepen të dhëna që mund të krijojnë një ide për aviacionin e vendeve më të zhvilluara.

Gjuajtësit më të përparuar Rusë janë MiG-29 dhe Su-27 dhe që të dy kanë hyrë në shërbim në vitin 1982, por vazhdimisht kanë pësuar përmirësime të ndryshme. Gjuajtësit amerikanë F-16 dhe F/A-18 janë të po kësaj periudhe, por vazhdojnë të përmirësohen dhe për këtë, shumat e shpenzuara janë të mëdha. Këta u prodhuan si versione më ekonomikë kundrejt F-15 dhe F-14, të cilët në atë kohë kushtonin reth 40 milion $. Sot, francezët kanë Mirage 2000 (versionet e fundit 2000-D dhe 2000-5), por edhe ky ka filluar shërbimin në në 1982. Tornado (anglo-italo-gjerman) ka nisur shërbimin në 1979. Në Francë dhe Angli është akoma Jaguar, hyrja në shërbim e të cilit daton 1972. Pra, shihet se gjuajtësit më të mirë të kohës së sotme janë projekte të viteve 80-të por, me modifikime të ndryshme kanë ardhur deri sot. Gjuajtësit e rinj që pritet të hyjnë në shërbim janë F-22 amerikan, francezi Rafale dhe Eurofighter EF-2000 (anglo-italo-gjerman), të cilët e kanë kryer fluturimin e parë në 1993, ndërsa prodhimi në seri ka nisur këtë vit. Sipas shtypit të specializuar italian, grupi i parë do të jetë operativ aty nga viti 2014. Deri më sot, rolin e gjuajtësit (ose interceptorit) e ka luajtur Lockheed F-104S, prodhim i vitit 1956 (Italia e ka prodhuar me liçensë nga viti 1966). Me qënë se data e mësipërme është shumë larg (i pari EF-2000 u dorëzua në shkurt 2003), Italia ka marrë me qira nga amerika një skuadrilje F-16 (një prej të cilëve u rrëzua në fillim të vitit). Në Francë, aviacioni i marinës kishte deri në vitin 2002, një skuadrilje F-8P Crusader, i cili ka nisur shërbimin në 1957. Këta u zëvendësuan me modelin e ri Rafale dhe deri në vitin 2015, duhet të pajiset dhe me 48 copë të tjerë. Gjermania, për shkak të vonesës në programin EF-2000, do të mbajë deri në vitin 2012 avionët F-4Phantom (1962). Projekti për modernizimin e tyre filloi në 1983 dhe përfundoi në 1992, ndërsa ekzemplari i fundit u dorëzua në 1998. Greqia, pasi e ka modernizuar do ta mbajë në shërbim deri në 2015-tën. Po kështu Japonia, Izraeli, Turqia dhe Spanja. Greqia ka edhe Vought A-7 Corsair II (1966), ekzemplari i parë i të cilëve ka mbërritur në 1975. Në vitet 93-94 ka marrë të tjerë.

Po fqinji ynë Maqedonia? E dalë me duar bosh nga ndarja e Jugosllavisë, këto vite ka krijuar një forcë ajrore modeste por të respektueshme. Ndër avionët bëjnë pjesë modelet e sulmit Sukhoi Su-25, ndërsa për helikopterë ka zgjedhur Mi-24 dhe Mi-8. Sa për të patur një ide, janë ndër modelet kryesorë të aviacionit rus. Shtypi i huaj njoftoi vitin e shkuar se Maqedonia kishte ndërmend të blinte dhe një Antonov për transportin e brigadës parashutiste. Shumë mirë dhe në qoftëse viti i ardhshëm do të na gjejë me MiG-ët tanë të hedhur në furrën e metalurgjikut, cilido pilot maqedonas mund të sodisë detin nga qielli ynë.