KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
MiG-17 _ Pėrshkrim

Mikoyan-Gureviç

 

MiG-17

 

Menjëherë pas hyrjes në prodhim të MiG-15, zyra projektuese Mikoyan-Gureviç nisi punën për një version të përmirësuar. Në shpejtësi të lartë, mbi 0.92 Mach (1126 km/orë), MiG-15 bëhej jo stabël, ndërsa platforma e qitjes nuk ishte efikase mbi Mach 0.88. Projekti MiG-17 filloi në vitin 1949, me autorizimin për tre prototipa. Fluturimi i parë u krye në dhjetor 1949 nga prototipi i dytë, por dy muaj më vonë u rëzua. Pasi u rishikua projekti u realizuan prototipa të tjerë, i dyti i të cilëve kreu fjuturimin e parë në mes të vitit 1950. Konfiguracioni i MiG-17 ishte i njëjtë me atë të MiG-15. Motori ishte po ai që montohej në atë moment tek MiG-15. Fillimisht, tek MiG-15 është përdorur një kopie e motorit Rolls-Royce Nene, por më pas, V.Klimov bëri disa ndryshime aerodinamike dhe mundi të rrisë 30% fluksin e ajrit që hynte në motor (Rolls-Royce dhe Pratt & Whitney bënë të njëjtën gjë më pas). Me këtë motor të quajtur VK-1 u pajis MiG-15bis dhe prototipat MiG-17. Për prodhimin e serisë do të përdorej VK-1A, një version i përmirësuar tek i cili ishtw rritur koha ndërmjet dy shërbimeve.

Armatimi ishte si tek MiG-15: në një bllok të zmontueshëm ndën hundë, përpara rrotës, qëndronin një top 37 mm nga e djathta dhe dy 23 mm nga e majta. Modelet e parë ishin të pajisur vetëm me artileri, por tek krahët ishin katër varëse ku mund të vendoseshin bomba 250kg, predha reaktive të padrejtuara ose serbatorë me 240 litra. Pavarësisht se dukeshin të njëjtë, MiG-17 ishte i ndryshëm në detaje kundrejt MiG-15. Krahu i tij ishte me kënd shigjetë më të madh (45° kundrejt 35°) dhe me seksion më të hollë. Edhe krahët e bishtit ishin me kënd dhe sipërfaqe më të madhe. Pjesa e pasme e trupit ngushtohej në një mënyrë më të butë se tek MiG-15.

Prodhimi i MiG-17 (NATO e quajti “Fresco”) filloi në shtator 1951 në 6 fabrika. Në prill 1952 fluturoi MiG-17P, i pajisur me radar telemetrik Izumrud. Armatimi u modifikua dhe përfshinte tre topa 23 mm. Me hundën më të gjatë tek e cila vendosej elektronika e re, MiG-17P pati një rënie të karakteristkave fluturuese dhe prej tij u prodhuan vetëm 100 copë për aviacionin e marinës. Ky ishte i pari gjuajtës-kapës (interceptor) i lehtë i pajisur me radar, i aviacionit sovjetik.

Në periudhën 50-51, Vladimir Klimov përgatiti një version me pasdjegës (forsazh), në gjendje të jepte një shtytje 30% më të madhe. Ky motor i quajtur VK-1F (nuk mund të vendosej tek MiG-15) u provua në ajër me një MiG-17 në 1951. Prodhimi në seri nisi në fillim të vitit 1951 dhe u quajt MiG-17F. Një ndryshim tjetër ishte vendosja e aerofrenave më të mëdhenj (sipërfaqe në pjesën fundore që hapen për të ngadalësuar shpejtësinë). Meqënëse sasia e karburantit të MiG-17 nuk ishte më madhe se ajo e MiG-15 dhe kishte reth 50% më shumë shtytje se ai (kur motori punon në regjimin me pasdjegie konsumon shumë), varëset tek krahu ishin në gjendje të mbanin serbatorë të jashtëm me nga 400 litra.

 

Variantet

Pjesa më e madhe e modeleve të serisë u zhvillua nga MiG-17F. Një ndër më të prodhuarit është interceptori me aftësi të kufizuar natën/në çdo kohë i zhvilluar mbi bazën e MiG-17P. I pari i këtij versioni është MiG-17PF, i pajisur me radar të përmirësuar dhe pasdjegie. Fluturoi për herë parë në 1952 dhe u prodhua në reth 1000 copë. Nga viti 1956, disa prej tyre u modifikuan në MiG-17PFU. Ky është gjuajtësi i parë sovjetik i pajisur me raketa dhe ndër të parët në përgjithësi që u bë operativ. Topat u hoqën dhe u vendosën katër raketa ajër-ajër të varura tek krahët. MiG-17PFU mbeti vetëm pak kohë në vijë të parë dhe që nga viti 1957 u përdor vetëm si mësimor për përdorimin e armëve.

 

Prodhimi me liçensë

MiG-17 u prodhua me liçensë në tre vende të tjera. Reth 900 MiG-17F u prodhuan në Poloni (emërtimi LIM-5M). Nga ky version doli një tjetër i specializuar për sulm në tokë (LIM-6). Ky kishte seksion tërthor të krahut më të madh dhe mund të mbante sasi shtesë karburanti të barabartë me atë te serbatorëve të varur. Por ky mbeti vetëm si prototip, sepse Polonia mori për këtë qëllim modelin Sukhoi SU-7. Në Çekosllovaki u prodhua MiG-17 dhe MiG-17PF (emërtimi S-103 dhe S-104). Modelet kinezë filluan të dalin nga viti 1956 dhe në 1959, fabrika Shenyang, pa asnjë ndihmë nga jashtë,  prodhonte MiG-17F dhe motorin VK-1. Modelet kinezë quhen J-5 (F-5 për eksport). Në vitin 1966, fabrika Chengdu prodhoi modelin dyvendësh stërvitor JJ-5 (FT-5 për eksport). Ky kishte vetëm një top dhe nuk kishte pasdjegës (forsazh, në terminologjinë ruse dhe tonën, pra, një djegie e dytë me karburant suplementar, përpara se gazrat të dalin jashtë).

 

MiG-17 në Vietnam

Ndërmjet viteve 1965-1973, MiG-17 është përdorur në luftë nga forca ajrore e Vietnamit të Veriut. Kur amerikanët nisën fushatën e bombardimeve, ky vend nuk kishte aviacion gjuajtës. Nga fundi i vitit u pajis me MiG-15 dhe J-5 kinezë. Po atë vit arritën dhe MiG-17 sovjetikë dhe së bashku me ata kinezë, u bënë komponetja kryesore e aviacionit vietnamez. Të çuditur, USAF dhe US Navy (aviacioni dhe marina) zbuluan se MiG-17 ishte një sfidant serioz për gjuajtësit e tyre supersonik të pajisur me radar. Kjo vinte dhe nga fakti që pilotëve amerikanë nuk u lejohej të hapnin zjarr pa e parë me sy kundërshtarin. Për MiG-17, ky ishte një avantazh fillestar kundrejt gjuajtësve të mëdhenj amerikanë, të cilët mund të identifikoheshin në distancë më të madhe se gjuajtësit sovjetikë. Edhe fushëpamja e MiG-17 ishte më mirë se sa ajo e gjuajtësve bashkëkohorë amerikanë. Shpesh, kombinimi i këtyre faktorëve u jepte avantazin e bafasisë pilotëve vitnamezë.

MiG-17 kishte një sipërfaqe krahësh të barabartë me F-4 Phantom, por pesha e tij ishte sa ngarkesa e brendëshme me karburant që mbante F-4. Rezultati ishte që MiG-17 mund të bënte kthesa të forta dhe me shpejtësi të ulët, mundësi që nuk e kishin gjuajtësit amerikanë. Topat e fuqishëm të MiG-17, në dyluftimin ajror u treguan më efikasë se sa raketat e amerikanëve. Duke bërë një krahasim me luftën në Kore, gjuajtësit amerikanë ishin të pakrahasueshëm me F-86 Sabre, ndërsa MiG-17, ishte vetëm gjysmë gjenerate përpara MiG-15. Megjithatë, raporti fitore/humbje i arritur nga pilotët amerikanë ishte tre-katër herë më i vogël. Rezultati vinte nga rivlerësimi i taktikës së gjuajtësve dhe i projektimit të tyre, ashtu siç do të shihej më pas me modelet F-15 dhe F-16.

 

MiG-17 në Shqipëri

Në shtator 1961, krijohet regjimenti III gjuajtës-bombardues në Rinas, i përbërë nga një skuadrilje MiG-17F dhe një MiG-19PF. Më pas skuadrilja MiG-17 transferohet në Kuçovë. Me krijimin e Regjimentit të Gjadrit në 1974, mbërrijnë dhe 6 avionë stërvitorë dyvendësh MiG-17UTI. MiG-17 me qëndrim në Kuçovë ka shërbyer për përgatitjen dhe kalimin gradual të pilotëve të rinj tek MiG-19.

 

Në 27.09.1967, me MiG-17 bie në krye të detyrës piloti i ri Stilian Tanku (Kuçovë).

 

 

Karakteristika teknike

MiG-17F

Përmasat

Hapja e krahëve: 9.63 m

Sipërfaqja e krahëve: 22.60 m2

Gjatësia: 11.26 m.

Motori

Një turboreaktiv Klimov VK-1F me 29.50 kN shtytje dhe 33.14 kN me pasdjegjës (forsazh).

Pesha

Normale bosh: 3930 kg.

Maksimale në ngritje: 6069 kg.

Ngarkesa me karburant

Ngarkesa e brendëshme: 1170 kg.

Ngarkesa e jashtme: Dy serbatorë të varur me nga 400 ose 240 kg secili.

Arritjet

Shpejtësia maksimale e mundëshme: 1.03 Mach (1260 km/orë).

Shpejtësia maks. në fluturim të stabilizuar në 3000 m me konfiguracion të “pastër”: 1100 km/orë.

Shpejtësia maks. në 10 000 m me konfiguracion të “pastër”: 1071 km/orë.

Shpejtësia maks. e mundëshme me serbatorë të jashtëm: 900 km/orë.

Autonomia e trensferimit: 2020 km me serbatorë të jashtëm.

Rezja e veprimit në luftim: 700 km me dy serbatorë dhe dy bomba  nga 250 kg.

Shpejtësia maksimale e ngjitjes nga niveli i detit: 3900 m/min.

Lartësia praktike e fluturimit: 15 000 m, me pasdjegës 16 600 m.

Rruga e ngritjes: 590 m me peshë normale.

Rruga e ndalimit: 850 m me ngarkesë normale.

 

 

Gent Domi

Botuar në revistën “AutoMoto plus” Nr.10, Tetor 2004



MiG-17, armatimi