KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
MiG-19 _ Pėrshkrim

Mikojan-Gureviç

 

MiG-19

 

MiG-19, së bashku me amerikanin F-100 Super Sabre, janë gjuajtësit e parë supersonikë që kanë hyrë në shërbim. Ndryshe nga bashkëkohësit e tij, MiG-19 ka patur një karierë të gjatë në vijë të parë dhe vazhdon të përdoret akoma nga disa vende në zhvillim, përfshirë edhe ne. I prodhuar me liçensë nga kinezët me emërtimin “J-6”, MiG-19 është i thjeshtë dhe e ka treguar veten të besueshëm dhe efikas.

 

MiG-19, për shumë aspekte është ura lidhëse ndërmjet MiG-17 dhe MiG-21. Në vitet 50-të, pavarësisht suksesit të arritur me gjuajtësit e mëparshëm (Mig-15 dhe Mig-17), vija e parë sovjetike kishte nevojë për një gjuajtës supersonik që të mund të përballonte kundërshtarët. Fluturimi i parë u krye në 18 shtator 1953 (F-100 fluturoi në 24 prill 1953) dhe nisja e prodhimit u bë e shpejtë dhe pa shumë bujë. Çelësi i suksesit në karakteristikat fluturuese (eklipsonin ato të bashkëkohësit amerikan F-100) qëndronte tek krahu i hollë, i gjatë dhe me kënd 55° (kënd shigjetë 55°, dmth, i parë në planin horizontal, është këndi i formuar nga krahu dhe pingulja e hequr mbi aksin gjatësor të avionit). Nisur nga fakti që u hodh me shpejtësi në prodhim, seria e parë e quajtur MiG-19 pati probleme me stabilitetin në shpejtësi shumë të lartë. Për këtë arsye, shpejt u zëvendësua nga MiG-19S, i cili arriti të eliminojë këto probleme. Fillimisht, MiG-19 nisi shërbimin tek PVO (Protivo-Vozdušnaya Oborona, mbrojtja kunërajrore) si interceptor. Zhvillimet e mëpasme të këtij qëllimi sollën modelin MiG-19P, të pajisur me radar dhe më pas MiG-19PM, me radar dhe raketa. Në rolin e gjuajtësit të parë supersonik të B.R.S.S, Mig-19 u bë objekt i shumë kërkimeve eksperimentale, rezultatet e të cilëve shërbyen për brezat e avionëve të ardhshëm. Një numër avionësh eksperimentuan furnizimin në ajër dhe shumë elementë të tjerë të aktivitetit luftarak.

Në Kinë, MiG-19S i prodhuar me liçensë nga fabrika Shenyang me emërtimin J-6(F-6 për eksport) u bë forca kryesore e Aviacionit të Ushtrisë Çlirimtare, duke patur edhe versione të reja. Një model i bazuar tek MIG-19 është dhe Nanchang Q-5/A-5 “Fantan”. Ky është bazuar tek celula e MiG-19 por ka pësuar ndryshime të dukshme. Hyrjet e ajrit janë anësore dhe më efikase, ndërsa hunda mbeti e lirë për të vendosur aparaturat e sulmit në tokë. Q-5 (në botë njihet si A-5, Attack) fluturoi për herë të parë në 4 qershor 1965. Më pas u zhvilluan versione të ndryshme, përfshirë dhe atë për sulm bërthamor. Versioni Q-5III (A-5C) është prodhuar për eksportim në disa nga vendet e Azisë.  Mbas vitit 1986 nisën planet për modernizimin në bashkëpunim me italianen Alenia dhe u realizua prototipi Q-5M/A-5M. Ky u krahasua me atë që u realizua në bashkëpunim me francezen Thompson-CSF të quajtur Q-5K. Këta ishin të pajisur me aparatura të reja, por ngjarjet në sheshin Tienanmen i bllokuan projektet. Vetëm pas vitit 2000 doli versioni i përmirësuar i pajisur me telemetër lazer. Forcat Ajrore Kineze kanë reth 600 Q-5 të cilët, të krahasuar me 2600 J-6, duken fare pak. Forcat Detare kanë në përdorim 100 Q-5.

Megjithëse në PVO u zëvendësua shpejt nga modele më të përparuar, në vende të tjerë MiG-19 do të kishte një karierë të gjatë. Mjaft i fortë dhe me arritje të shkëlqyera, MiG-19/J-6 ka marrë pjesë në mjaft aksione, si në skërmitje dhëmbësh gjatë luftës së ftohtë, ashtu dhe në luftëra të vërteta.

 

Aktiviteti në B.R.S.S.

MiG-19 pati shumë punë me avionin spiun amerikan U-2. Duke filluar nga viti 1956, avionët U-2 nisën të shkelin në mënyrë sistematike hapësirën ajrore të shtetit sovjetik për qëllime fotografimi. Takimi i parë i MiG-19 me një U-2 u bë në vjeshtë të vitit 1957, kur një pilot raportoi se në lartësinë 17 000 metra kishte parë një avion në formë kryqi. Në maj 1960, MiG-19 u ngritën për të marë pjesë në rëzimin e U-2 të drejtuar nga Gary Powers, por nuk ndikuan në rezultatin e aksionit. Amerikani u rëzua nga raketat tokë-ajër, njëra prej të cilave goditi dhe një MiG që ishte lëshuar në ndjekje. Gjatë periudhës së luftës së ftohtë, MiG-19 pati dhe ndeshje të tjera me avionë të ndryshëm perëndimorë. Ndërmjet viteve 60-63 arriti të rëzojë katër avionë rikonjicioni, ndërsa në 1964, po një avion rikonjicioni RB-66D e detyroi të ulet. Pas pushtimit të Çekosllovakisë inkursionet e avionëve perëndimorë mbi hapësirën e Traktatit të Varshavës u shtuan dhe gjatë kësaj periudhe, një F-84F italian dhe një F-100 amerikan u detyruan të ulen.

Avionët MiG-19 bullgarë patën punë me avionët Turq dhe Grek. Edhe Kuba ishte ndër përdoruesit aktivë, duke patur të bëjë me avionë spiunë të nisur nga CIA.

 

Lindja e Largme dhe e Mesme

Modelet Shenyang J-6 (MiG-19S të prodhuar me liçensë nga Kina), nga viti 1960 ka përbërë forcën kryesore të aviacionit kinez dhe janë akoma në përdorim në numër të madh dhe forma të ndryshme, pavarësisht se kanë gjuajtës të tjerë modernë. J-6 kinezë janë përdorur kundër U-2 nga Taivani, janë ndeshur me avionë amerikanë gjatë luftës në Vietnam dhe gjatë inkursioneve në hapësirën e tyre ajrore. Ndërkohë, gjatë grindjeve kufitare kanë hyrë dhe në territorin sovjetik.

Vietnami i Veriut bleu nga Kina F-6 (versioni për eksport i J-6) dhe i përdori gjerësisht kundër amerikanëve si shoqërues të MiG-21, duke arritur një numër të konsiderueshëm fitoresh.

Lindja e Mesme u bë teatër i vërtetë betejash ndërmjet Vendeve Arabe dhe Izraelit. Në këtë rast, MiG-ët dolën të humbur përballë pilotëve të shkëlqyer izraelianë: mbi 50 MiG-19 u shkatëruan pa asnjë humbje nga ana e kundërshtarit. Megjithatë, njëzëri, pilotët izraelianë e quajtën MiG-19 si “avion i mrekullueshëm në dyluftimin e afërt ajror (dogfight)”.

 

Lufta Indi-Pakistan

Konflikti më i madh ku ka marrë pjesë F-6 është lufta Indi-Pakistan, në dhjetor 1971. F-6 përbënte elementin kryesor të aviacionit pakistan (130 copë) dhe si i tillë, u përdor gjerësisht si për mbrojtjen ajrore, ashtu dhe për sulm në tokë. Rezultati ishte lehtësisht pozitiv për avionët pakistanezë, të cilët arritën 10 fitore kundrejt 4 humbjeve. F-6 përdoret akoma në rolin e mbrojtësit të aeroporteve në Pakistan.

F-6 ka lualtur një rol më të vogël në konfliktet afrikanë si në Tanzani, Somali dhe Sudan.

 

MiG-19 në Shqipëri

MiG-19 ka përbërë forcën kryesore të Aviacionit Shqiptar. Në korrik të vitit 1959, në Rinas krijohet skuadrilja e parë me MiG-19PM, versioni i pajisur me radar dhe raketa. Pilotët dhe teknikët u përgatitën në B.S. dhe komandant ishte piloti i Klasit I, Haki Jupasi. Në këtë periudhë fluturimet ishin të shumta dhe u arrit të kualifikohet dhe grupi i dytë i pilotëve të klasit të I, d.m.th, të aftë për të kryer detyrat në çdo lloj moti, ditën dhe natën. Në dhjetor 1961, në Rinas krijohet Regjimenti i III gjuajtës-bombardues i përbërë nga dy skuadrilje, njëra me MiG-19PM dhe tjetra me MiG-17F. Komandant u caktua piloti i Klasit I Niko Hoxha dhe z.komandant, Haki Jupasi. Sipas statistikave të këtij viti, çdo pilot arriti të kryejë 81 fluturime me nga 38,25 orë fluturim secili (M.Baba; Historik i Aviacionit). Në vitin 1965, MiG-19PM ndërrohet me modelin kinez F-6 (MiG-19S), kuptohet, në sasi më të madhe. Pas kësaj ky do të bëhej modeli bazë aviacionit tonë dhe me të do të pajiseshin 6 skuadrilje ( 2 në Gjadër, 2 në Rinas dhe 2 në Kuçovë, gjithsej 72 copë). Edhe MiG-19 ka regjistruar kapje të avionëve të huaj. Në 17.07.1967 një avion i prodhimit amerikan, Republic F-84G i aviacionit jugosllav, shkel hapësirën ajrore të shqipërisë. Menjëherë ngrihet çifti i pilotëve të gatshëm, Koço Biku dhe Muhamet Hysa dhe pas tyre, edhe Gëzdar Veipi. I rethuar nga tre avionët tanë, detyrohet të ulet në Rinas. Më pas u vërtetua që piloti kishte hyrë gabimisht dhe u kthye mbrapsh me rrugë tokësore. Avionin erdhi për ta marrë një pilot tjetër (M.B; Historik i Aviacionit).

 

Me MiG-19 kanë rënë në krye të detyrës pilotët:

Rinas 21.03.1963; Sokrat Basha.

Rinas 21.03.1965; Niko Hoxha, komandant regjimenti, pilot i klasit I.

Kuçovë 04.10.1972; Hazbi Serani, zv.komisar i regjimentit.

Kuçovë 05.08.1974; Veiz Kovaçi.

Rinas 07.03 1974; Bego Hoxha.

Rinas 07.06.1977; Sefedin Tomçini, komisar skuadrilje

Rinas 30.08.1979; Shpëtim Sula.

Rinas 15.08.1978; Vasil Noni.

Kuçovë 22.10.1986; Haki Skuqi.

Rinas 20.08.1993; Idriz Hoxha, ish komandant regjimenti.

Rinas 16.09.2004; Jani Tarifa, ish komandant katërsheje.

 

 

Karakteristika teknike

J-6/F-6 (MiG-19S kinez)

Përmasat

Gjatësia së bashku me tubin anemometrik: 14.90 m

Gjatësia pa tubin: 12.60 m

Lartësia: 3.88 m

Gjerësia: 9.20 m

Sipërfaqja e krahëve: 25 m2

Motorët

Dy turboreaktivë Liming (LM)Wopen 6 (Tumanski RD-9BF-811) me 25.49 kN shtytje secili dhe 32.87 kN shtytje me pasdjegje (forsazh, djegie e dytë me karburant suplementar)

Pesha

Bosh: 5 760 kg

Normale në ngritje: 7 545 kg

Maksimale në ngritje: 10 000 kg

Ngarkesa me karburant

E brendëshme: 1687 kg

E jashtme: dy serbatorë ndihmës të shkëputshëm me 1140 ose 760 litra secili

Arritjet

Shpejtësia maksimale e ngritjes nga niveli i detit: mbi 9145 m/min

Lartësia operative: 17 900 m

Rruga e ngritjes me pasdjegie: 670 m

Rruga e ndalimit me parashut fren: 600 m

Shpejtësia kufitare (nuk duhet kaluar asnjëherë) në lartësi 10 670 m: 1700 km/orë

Shpejtësia maksimale horizontale në konfiguracion “të pastër” (pa armatim dhe serbatorë të varur në krahët) në 10 975 m: 1540 km/orë

Shpejtësia e stabilizuar në kuotë optimale: 950 km/orë

Autonomia e transferimit: 2200 km me dy serbatorë ndihmës me nga 760 litra secili

Autonomia normale në 14 020 m: 1390 km

Rezja e veprimit: 685 km me dy serbatorë ndihmës me nga 760 litra

Armatimi

J-6 mund të përdoret në luftimin ajër-ajër ose sulm në tokë. Në luftimin ajër-ajër përdor tre topat 30 mm dhe mund të pajiset me raketat AIM-9 Sidewinder dhe AA-1 “Alkali”. Për sulm në tokë mund të pajiset me blloqet për predha reaktive të padrejtuara 57mm (secili me nga 8 copë), ose  mund të zëvendësohen me bomba 250 kg, ose me nga një raketë të kalibrit 212 mm.

 

Gent Domi

Botuar në revistën “AutoMoto plus” Nr.10, Tetor 2004



MiG-19S, 4-22

MiG-19S, armatimi

MiG-19S, motori