KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
MiG-21 _ Pėrshkrim

Mikoyan-Gureviç

 

MiG-21

 

MiG-21 është një nga avionët ushtarakë më të famshëm në botë. Që nga fundi i Luftës së II botërore, asnjë gjuajtës tjetër nuk është prodhuar në sasi kaq të madhe (mbi 10 000 në Bashkimin Sovjetik dhe mbi 2 000 në Kinë e Indi) dhe në versione kaq të shumtë (vazhdojnë të prodhohen akoma). Mbi të gjitha, asnjë gjuajtës tjetër nuk ka shërbyer në kaq shume forca ajrore (C 130 Hercules është i vetmi avion që konkuron me të), apo të ketë marrë pjesë në kaq shumë konflikte. Megjithatë, MiG-21 ka qenë gjithminë një avion i vogël, me pajime të nivelit mesatar dhe në fakt, në konfliktet bashkëkohorë, është gjetur në vështirësi kundrejt gjuajtësve perëndimorë më modernë. Por, pavarësisht nga këto, pilotët e kanë vlerësuar shumë për faktin  se është i besueshëm, mirëmbahet lehtë dhe është ekonomik, faktorë që edhe sot e bëjnë të jetë i përshtatshëm për shumë forca ajrore.

 

Zhvillimi i MiG-21

Në vitin 1953, instituti kërkimor i forcës ajrore sovjetike përpiloi kërkesat për gjuajtësin e ri. Zyra teknike MiG propozoi një gjuajtës të vogël supersonik me një motor dhe pa mundësi për të transportuar ngarkesë të madhe karburanti, elektronikë dhe armatim. Forca ajrore (VVS) kërkonte që të ishte i aftë për të mundur gjuajtësit amerikanë të “serisë 100” (F-100, F-102, F-104, F-105) dhe bombarduesit B-47, B-52 dhe B-58. Për këtë u përpiluan kërkesa të reja për një gjuajtës që të kryejë detyrën e mbrojtjes lokale ditën dhe me kontroll nga toka. OKB (zyra projektuese) Mikoyan paraqiti dy prototipa: Ye-2 me krahë shigjetë (të tërhequr nga pas) dhe Ye-4 me krahë delta (në formë trekëndëshi). Ye-2 u ngrit në ajër në 14 shkurt 1955, ndërsa Ye-4 pak ditë më pas. Në dy vjetët e ardhshëm të dy modelet pësuan ndryshime dhe në vlerësimin përfundimtar të vitit 1957, fitoi versioni me krah delta. Edhe për dy vjet të tjera pësoi ndryshime deri sa arriti në versionin Ye-6/3. Ky fluturoi në dhjetor 1958 dhe prej tij u prodhua një sasi prej 30 ekzemplarësh të quajtur MiG-21F. Ndërsa prptotipi Ye-6/3 u përdor për të arritur një serë rekordesh botërorë, midis të cilëve dhe atë të shpejtësisë maksimale, Mikoyan realizoi versionin e parë të serisë MiG-21F-13, i cili kishte dhe armatim të ri. Prej tij u prodhuan disa qindra copë, përfshirë ata të prodhimit çekosllovak (S-106) dhe atë kinez J-6 (F-6 për eksport). Prej këtij modeli, 12 copë erdhën dhe në Shqipëri në fund të vitit 1970.

 

Versionet

MiG-21 është përmirësuar vazhdimisht dhe sipas modifikimeve të bëra ndahet në tre breza, shumë të ndryshëm nga projekti origjinal. Pas MiG-21F-13 erdhi MiG-21P, pa topa dhe vetëm me dy raketa. Ky u ndoq nga MiG-21PF i pajisur me një radar të ri, modeli PF për eksport dhe nga ai PFM, me fanar (kështu quajnë tek ne xhamin që mbyll kabinën), avionikë, armatim dhe pajime të reja. Me kalimin e kohës, gjuajtësi i lehtë filloi të bëhet më i rëndë dhe më i sofistkuar. Pati dhe një model rikonjicioni MiG-21R, i pajisur me aparate fotografimi dhe filmimi, aparatura IR (Infra Red). Versioni gjuajtës MiG-21S ishte derivat i këtij; MiG-21SM ishte shumë i manovrueshëm; MiG-21MF ishte me motor, radar dhe armatim më të fuqishëm; më në fund, MiG-21SMT, i cili mund të mbante sasi më të madhe karburanti. MiG-21bis është modeli i brezit të tretë dhe shumë më i përparuar, pavarësisht se nuk mund të përdorë raketa BVR (Beyond Visual Range, përtej shikimit me sy), ka radar të kufizuar dhe autonomi të vogël. Ky u zhvillua si version multirol dhe ka mundësi për të mbartur armatim më të madh se versionet e parë. Vazhdon të jetë në vijë të parë në aviacionin e shumë vendeve. Fundi i luftës së ftohtë nuk shënoi fundin e Mig-21, përkundrazi, shumë ndërmarje kanë nisur modernizimin e avionëve të mbijetuar. Izraeljania IAI ka përgatitur modelin MiG-21-2000, ndërsa vetë OKB Mikoyan ka përgatitur MiG-21-93.

 

MiG-21 në luftë

Me përdoruesit e shumtë të tij, ishte e pamundur që MiG-21 të mos luftonte. Luftimi i parë i vërtetë ishte ai nërmjet Indisë dhe Pakistanit në 1956. Si kundërshtarë kishte F-86F dhe F-104A. Megjithatë, vetëm në 1971 filloi lufta e vërtetë. Fitorja e parë ishte kundër një F6 pakistanez (Mig-19 kinez) dhe pas tij disa F-104. Një zonë tjetër është dhe lindja e mesme ku, avionët egjyptianë, sirianë dhe irakianë sulmuan izraelin.Këtu pati më pak sukses dhe shumë prej tyre u rëzuan nga Mirage IIICJ izraelianë. Edhe në 1973, forcat e koalicionit arab u gjendën në vështirësi nga gjuajtësit izraelianë. MiG-21 irakianë janë përdorur me sukses kundër F-4 dhe F-5 iranianë. E kundërta ndodhi me MiG-21 somalezë kundër F-5 etiopianë. Në Vietnam, gjatë dyluftimit të afërt, shkathtësia e MiG-21 luajti rol të rëndësishëm kundrejt gjuajtësve të sofistikuar por të rëndë amerikanë, pavarësisht se u ndodh në vështirësi në distancë të madhe. Humbjet më të rënda MiG-21 i ka marë nga pilotët izraeljanë. Ka shumë mundësi që MiG-21 të jetë në shërbim edhe vitet e ardhshme. Për shumë vende të varfëra, versionet e përmirësuara që kanë dalë tani, janë më të preferuar se sa të kushtueshmit F-16 dhe MiG-29. Duket e pamundur që një gjuajtës tjetër të barazojë suksesin në shitje të MiG-21.

 

MiG-21 të përmirësuar

Ndërhyrjet efikase dhe me kosto të ulët të bëra nga rumunia Aerostar në bashkëpunim me izraelianen IAI (Izrael Aircraft Industries), kanë bërë që MiG-21 të jetojë një rini të dytë.

 

IAI (Izrael Aircraft Industries) propozoi modelin e modernizuar MiG-21-2000, i cili parashikonte transmision diçital të të dhënave, xhamin prej një cope të vetme, katapultë Martin-Baker, një HUD (Head-Up Display, projekton të dhënat tek xhami i përparmë), instrumenta të rinj së bashku me komandën HOTAS (Hands On Throttle And Stick, çelësat dhe komandat kryesore për kryerjen e misionit janë përqëndruar tek leva e gazit dhe ajo e drejtimit). Për sa i përket radarit, mund të përmirësohej ekzistuesi ose të vendosej një i ri. Kontrata e parë ishte modernizimi i MiG-21 kamboxhianë, duke shpresuar kontratën e majme për 110 MiG-ët rumunë. Por kjo kontratë u fitua nga Elbit (izraljane), e cila përgatiti avionikën e re, ndërsa rumunia Aerostar e montoi atë. MiG-21 Lancer rumunë kanë komanda HOTAS, HUD të ri, ekrane shumëfunksionësh dhe mundësinë që të përdorin kaskën DASH(Display And Sight Helmet, piloti merr shenjë nëpërmjet shënjestrës së montuar në kaskë). Gjthashtu, janë dhe sistemët e reja të navigacionit dhe të vetmbrojtjes. Prototipi i parë Lancer fluturoi në 25 gusht 1995. Tani repartet rumunë janë plotësisht operativë dhe përdorin si armë perëndimore, ashtu dhe ruse. Rusia, vendi prodhues i MiG-21, ishte i fundit që hyri në tregun e modernizimit. Kjo për faktin se në Rusi, zyrat projektuese dhe fabrikat nuk janë mësuar me modernizime të avionëve të vjetër, por me prodhimin e të rinjve. Kur u pa se të huajt po fitonin para me modernizimin, OKB Mikoyan dhe njëra nga ndërmarjet prodhuese propozuan modelim MiG-21-93. Edhe tek ky model janë bërë të njëjtat modifikime, përfshirë dhe raketat ajër-ajër të përparuara. E para që përfitoi nga ky program ishte India me një kontratë për 250 avionë (ka patur 850 MiG-21). Në vitin 1998, zyra MiG kishte informacion se në botë kishte reth 4500 MiG-21, të shpërndarë në 32 forca ajore. Nga këto, 18 i konsideronte klientë të mundshëm, duke lënë jashtë ata që kishin më pak se 18 avionë. Si përfundim, pa e tepëruar, mund të thuhet se MiG-21 i përmirësuar, është më i rezikshëm se F-16 dhe MiG-29 të gjeneratës së parë.

 

MiG-21 në Shqipëri

Në fund të vitit 1970, nga Kina erdhën 12 avionë MiG-21. Së bashku me dy skuadrilje MiG-19S dhe 4 MiG-17UTI (dyvendësh stërvitor) krijuan Regjimentin e Gjadrit. Komandant ishte piloti i klasit të I Gëzdar Veipi. Fillimisht u vendosën në Rinas dhe pas përfundimit të aerodromit modern të Gjadrit u vendosën atje. Përurimi i pistës u bë në 10 korrik 1974 me uljen e çiftit të parë të avionëve: piloti i parë që preku pistën ishte komandanti i Rinasit, pilot i klasit I, Haki Jupasi me MiG-19 dhe pas tij, Serafin Shegani me MiG-21. Në vitin 1993, ky tip avioni u hoq nga shërbimi. Dy prej tyre janë në Rinas.

Me MiG-21 kanë rënë në krye të detyrës pilotët:

Rinas 12.06.1974; Dhimitër Robo.

Gjadër 29.03.1982; Luto Sadikaj, komisar regjimenti.

 

Karakteristika teknike

MiG-21 MF

Përmasat

Gjatësia me tubin pito: 15.76 m

Lartësia: 4.13 m

Hapja e krahëve: 7.15 m

Sipërfaqja e krahëve: 23 m2

Motori

Një turboreaktiv Tomanskii-Gavrilov R-13-300 me 32.92 kN shtytje, në regjimin me pasdjegie 63.66 kN

Pesha

Bosh: 5350 kg

Normale në ngritje me 4 raketa ajër-ajër dhe tre serbatorë suplementarë të varur me 490 litra secili: 8150 kg.

Maksimale në ngritje: 9400 kg

Ngarkesa me karburant

Ngarkesa e brendëshme: 2600 litra

Ngarkesa e jashtme. Deri 1470 litra në 3 serbatorë të varur

Arritjet

Shpejtësia maksimale e ngritjes nga niveli i detit: 7200 m/min

Lartësia operative e fluturimit: 18 200 m

Rruga e ngritjes: 800 m

Autonomia

Autonomia e trensferimit: 1800 km me 3 serbatorë të varur

Rezja e veprimit: 370 km në mision sulmi me 4 bomba 250 kg, ose 720 km me dy bomba 250 kg dhe serbatorë të varur.

Armatimi

Top 23 mm

Raketa të drejtuara ajër-ajër. Mund të montohen deri në 8 raketa të drejtuara me infra të kuqe

Blloqe me predha të padrejtuara 57 mm ose 210 mm

Bomba me rënie të lirë deri 500 kg ose lloje të tjera për të shpuar fortifikimet.

 

Gent Domi

Botuar në Revistën “AutoMoto plus” Nr.10, Tetor 2004