KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Autobuzi i vitit 1988

Autobuzi i vitit 1988

Publikuar më 24.05.2012

Po e nis me një histori të ndodhur disa vite më parë (nuk po kërkoj datën e saktë). Jürgen Huppert, president i markës Daimler-Benz, gjatë daljes prej një konference e pa veten në momentin më të vështirë që mund të mendohet për një drejtues të këtij rangu: makina e tij zyrtare, një Mercedes S-Class e pajisur me të tëra shpikjet që kishte arritur të bënte kjo markë deri në atë moment, nuk donte që nuk donte të ndizej dhe përpara gjithë gazetarëve të pranishëm, nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të nisej me një makinë tjetër. Konkluzioni: siguri absolute nuk ka, edhe kur është fjala për mjete të reja.

E thashë këtë, sepse pas aksidentit tragjik në Himarë po flitet dhe shkruhet shumë për vjetërsinë e mjeteve shqiptare. Herë me të drejtë dhe herë pa të drejtë, shumica e gjejnë fajtorin te autobuzi “i vjetër”, prodhim i vitit 1988. Mund të jetë edhe kjo arsyeja, por deri sa ekspertiza të na japë të vërtetën dhe të jenë analizuar shkaqet, është mirë të mos arsyetojmë në mënyrë të nxituar. Padyshim, mosha e mjeteve ka rëndësi, por më e rëndësishme është mënyra e shfrytëzimit dhe e mirëmbajtjes së tyre dhe praktika e ka vërtetuar këtë fakt. Në Shqipëri kemi shumë gjëra “të vjetra”, të cilat i kemi përpara syve dhe i përdorim çdo ditë, por fatkeqësisht i sjellim ndër mend një e nga një, sa herë që ndodh një katastrofë. Të thuash se duhen zhdukur të gjitha mjetet 15-20 vjeçare është njëlloj sikur të qëllosh me breshëri pa patur shenjë, e në fund të shohësh se ke thyer vetëm xhamat e fasadës dhe asgjë më tepër.

A e keni parë se me çfarë makinash i presim delegacionet e huaja? Parku i delegacioneve ka akoma modelin Mercedes W126 (versionet 280S, 300SEL dhe 380SEL) të ardhura në vitet 80-të për anëtarët e byrosë politike (në momentin që po shkruaj, këto mjete të shoqëruara edhe me motoçiklist policie, mbartinin një delegacion me flamurin KE). Me mirëmbajtje shembullore kanë mbërritur deri në ditët e sotme dhe përjashtuar vjetërimin moral, për vjetërimin fizik është akoma larg dhe mund të vazhdojnë kështu, edhe për shumë vjet të tjera. Edhe makinat e drejtuesve më të lartë të shtetit shqiptar janë të fillimit të viteve 90-të (Mercedes W220 në versionet S350 dhe S500) dhe uroj të mos u vejë mendja të blejnë të tjera edhe për disa vite, sepse e keqja u vjen nga tjetër gjë.

Po helikopterët që vajtën për ndihmë, a e dini në ç’vit janë prodhuar? Më të rinjtë, BO-105 janë prodhim gjerman i viteve 1981-84, por me një modifikim në vitet 2004-2007 filluan një jetë të dytë në Shqipëri. Me një të tillë fluturojnë sot personalitetet më të larta të shtetit. Modeli AB-205 është i luftës së Vietnamit, i prodhuar ndërmjet viteve 1967-1980. Ne i kemi marrë nga Italia dhe janë prodhuar me liçensë nga Agusta. Me kujdesin e efektivit këto mjete vazhdojnë të funksionojnë rregullisht, por siguri absolute nuk ka as në aviacion. Këtë e dëshmojnë aksidentet që ndodhin në aviacionin e mbarë botës. Me këto që po shkruaj, nuk po përpiqem të mbuloj të metat teknike që mund të ketë patur autobuzi i aksidentuar, por të shpjegoj që një Mercedes O303 i vitit 1988, i mirëmbajtur dhe i përdorur sipas rregullave, në realitetin shqiptar është normalitet i padiskutueshëm. Këtë po e shkruan ai që ka mbushur internetin me qindra fotografi nga transporti shqiptar. Autobuzin fatkeq e kam fotografuar reth 1 vit më parë dhe duke gjykuar nga pamja, e zgjodha midis autobuzave që përfaqësojnë modelin O-303, së bashku me autobuzin tjetër binjak të po kësaj shoqërie. Shkaqet e aksidentit mund të jenë teknike, por mund të jenë dhe njerëzore, ndërsa për rrugën nuk duhet diskutuar në këtë moment: shoferi është shofer dhe duhet të drejtojë me shpejtësinë që i lejon ecje të sigurt. Edhe ai që e bën rrugën për herë të parë, edhe kur rruga nuk ka asnjë shenjë paralajmëruese, secili e ka për detyrë të drejtojë me kujdesin e duhur. Shoferi duhet të parashikojë dhe të mos gjendet në befasi. Akoma më shumë një shofer shqiptar, i cili e di që mbas çdo kthese mund të bjerë në gropën e hapur nga banori pranë rrugës për të gjetur tubin e ujit, ose të përplaset me zhavorin e shkarkuar pak çaste më parë nga po ai banor “ndërtimtar”.

Por le të kthehemi përsëri te vjetërsia e mjeteve, sepse ka me shumicë dhe një pjesë janë me të vërtetë në prag të katastrofës. A i keni parë zjarrfikeset shqiptare? Jam i bindur që lexuesi i këtyre radhëve e ka shfletuar më parë albumin e zjarrfikëseve në menunë përkatëse, por e vlen të theksohet se modelet Mercedes “1113”, “1019”, Man 16.168, Dennis e shumë të tjera si këto, janë më të vjetra dhe më të keqpërdorura se autobuzi i tragjedisë. Po mikrobuzët e policisë që janë gati të thyen në mes e t’u dalin rrotat pas çdo kthese (Volkswagen Transporter dhe Iveco Daily)? Ka 20 vjet që ushtria merr mjete të dorës së dytë, të cilat mbërrijnë te ne pasi kanë marrë pjesë në ndonjë luftë apo pasi janë nxjerrë në pension prej ushtrive përkatëse. Steyr 680, Saurer-Berna, Man 15.192, Mercedes 1017, Iveco ACL 75 e të tjera si këto, janë makina që i përkasin viteve 60-70. Sa për kuriozitet, Iveco ACL 75 do të thotë “Autocarro Leggero model 1975” dhe është me timon nga e djathta. Nuk po vazhdoj të numëroj pafundësinë e këtyre mjeteve, por dua të them se “vjetërsirat” i kemi kudo, por po të dimë t’i mirëmbajmë dhe po t’i shfrytëzojmë sipas mundësisë që kanë, katastrofat mund të shmangen. Kryesorja qëndron te kontrolli që duhet ushtruar për të mos lejuar të papërgjegjshmit të dalin rrugëve me hekurishte vetlëvizëse. Siguria në rrugë do të arrihet kur të ndërgjegjësohen shoferët dhe të ketë kontroll efikas. Le të dalë një polic e të thotë se kur e ka vënë gjobën e fundit për goma të parregullta. Shikoni sa Mercedes, BMW apo Porsche qarkullojnë rrugëve me goma të konsumuara, ose që nuk janë sipas përmasave të dhëna nga prodhuesi. Kjo është më e rëndësishme se viti i prodhimit të makinës apo kilometrat e përshkuar, sepse çfarëdo teknologji  e sofistikuar që të jetë përdorur në prodhimin e saj, në fund të fundit janë gomat që e lëvizin dhe e mbajnë në rrugë.

Ka ardhur momenti që të merren masa të plota dhe të studjuara. Qeveria vendosi  dje që të merren masa të veçanta për lëvizjen e fëmijëve dhe studentëve. Po të tjerët? Sepse statistikat thonë se kemi mesatarisht një të aksidentuar në ditë (shpresoj të mos dalë e vërtetë këtej e tutje). E zëme se nxënësit dhe studentët do të udhëtojnë me autobuza të rinj, por si i bëhet që ndërsa kanë marrë rrugën për Sarandë, nga maja e llogorasë t’u bjerë mbi kokë kamioni i vjetër ushtarak i ngarkuar plot me municion? Kjo mund t’i ndodhë secilit nga ne, edhe kur jemi në rrugë të drejtë. Po ata që kanë makina të reja e luksoze (me ABS, ASR, e plot gërma të tilla), a e kanë menduar se ndërsa shkojnë në Pogradec për të ngrënë një drekë peshku, nga hekurudha me traversa të kalbura mund të dalë treni e t’i hedhë në lumë si top bilardoje?

Me këtë fantazi mund të shkohet larg, por po e mbyll me autobuzët e rinj që kanë ardhur në Tiranë këto dy vjet. Kush qarkullon me ta, patjetër që ka dëgjuar se si kërcasin poshtë dyshemesë, aq sa të zë frika se do t’u shqiten rrotat në çdo frenim. Duke punuar kryesisht në minimo (për të mbledhur sa më shumë pasagjerë e për të “kursyer” ndonjë pikë naftë), kanë nisur të vibrojnë dhe u qan transmisioni në atë masë, sa më të vjetrit kanë rast të kujtojnë zhurmën karaktristike të transmisionit Gaz-63. Por më e keqja është se janë gati hermetikë dhe nuk e përdorin kondicionerin. Kur të vdesë ndonjë nga asfiksia, do të fillojmë përsëri të zbrazim breshëri pa marrë shenjë, e në fund do të dalim me konkluzionin... varet si do ta nisë kritikuesi i parë.