KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Zjarret nė Shqipėri

Më mirë të shuajnë zjarrin, sesa të hidhen në zjarr

Publikuar më 11.08.2012

U shkretua Shqipëria  nga zjarret dhe megjithëse është një situatë e përsëritur çdo vit, mjetet e duhura përsëri mungojnë. Në televizor shohim pamje qesharake ku një polic bashkon forcat me një fshatar dhe që të dy sulmojnë flakët me nga një degë peme në dorë, ndërsa zjarrfikësit janë të detyruar të presin deri sa zjarri të afrohet te rruga, sepse mjetet e tyre deri aty mund të arrijnë. Në përgjithësi, zjarrfikësit shqiptarë janë të pajisur me mjete për shërbim në rrugë, por ka edhe disa mjete 4x4 që mund numërohen me gishtat e dorës. Këto mjete bëjnë diçka më shumë se mjetet normale, por bota i ka prodhuar që të përballojnë asfaltin e mbuluar nga bora, ose edhe rrugë pa asfalt, por duhet të jetë me sipërfaqe të rregullt. Duke u përdredhur e me rrezik që të thyejnë ndonjë balestër mund të ngjiten edhe në ndonjë rrugë mali, por të vetme nuk kanë se ç’bëjnë, sepse në rastin më të mirë, vetëm 4 minuta ujë kanë dhe më pas, duhet t’ia mbathin për të shpëtuar veten.

Po me çfarë mjetesh e luftojnë zjarrfikësit shqiptarë zjarrin e pyllit? Në listën e zjarrfikëseve shqiptare (shif edhe menunë “Zjarrfikëse”) dallohen disa që kanë transmision 4x4 dhe për respekt të historisë së zjarrfikësve tanë, po rendis në fillim veteranen e viteve 60-70, “Skoda 706 RTHP” (CAS-16 dhe CAS-25, sipas emërtimit Çek), ku disa ekzemplarë të mbijetuar vazhdojnë heroikisht luftën kundra zjarrit. Me konstruksion të fortë dhe të thjeshtë, pa elektronikë në bord dhe e aftë për të djegur çdo lloj përzierje që mund të quhet karburant, mbetet akoma e përkryer për Shqipërinë e varfër. Zjarrfikësit me përvojë e vlerësojnë për faktin që mbart rreth 4 mijë litra ujë të cilët zbrazen jashtë nga një pompë me kapacitet 1600 lit/min. Gjatë viteve të fundit kanë ardhur nga jashtë si mjete të përdorura disa “Mercedes 1113” dhe “Magirus 170”, ndërsa disa “Steyr 680” duket se kanë ardhur në Shqipëri vetëm për t’u dhënë pamjen e varrezave automobilistike stacioneve zjarrfikës. Në katër stacionet e Tiranës, vetëm zjarrfikësja Mercedes 1017 e Stacionit Kinostudio është 4x4, ndërsa Gjirokastra ka një Unimog. Zjarrfikëset e qytetit, edhe kur janë në versionin 4x4, janë të pajisura me goma asfalti, kanë peshë të konsiderueshme dhe shpesh herë janë edhe më të ulëta se kamionët që kanë shërbyer si bazë për krijimin e tyre. Zjarrfikëset që mund të dalin dhe të veprojnë me siguri jashtë asfaltit janë tjetër gjë. Pa u zgjatur më shumë, me këto pak mjete 4x4, zjarri bën ç’të dojë në Shqipëri.

Megjithatë, mjetet i kemi patur këtu në vend, madje me shumicë. Në parkun e madh të mjeteve ushtarake gjeje çdo gjë, që nga kamionët e kalueshmërisë së lartë 6x6 e deri te tërheqësit me zinxhirë, pa folur që autobotët 6x6 kanë qenë pjesë e parkut ushtarak, por që sot presin me durim radhën e skrapit. Nuk mungonin as mjetet lundruese të cilat do të ndihmonin shkodranët gjatë përmbytjeve. Me disa modifikime të thjeshta do të ishte krijuar një numër i konsiderueshëm  mjetesh të përshtatshme për punë të rënda malore. Me këto mjete mund të krijoheshin disa parqe të emergjencës civile dhe të vendoseshin në zona të përshtatshme nga ku mund të shpërndaheshin me shpejtësi në drejtimet e duhura. Këto mjete me kalueshmëri të lartë, duke u mbështetur fuqimisht nga mjetet normale, mund t’i afrohen më pranë vatrës së zjarrit. Kuptohet që këto mjete nuk bëjnë mrekullira, por sidoqoftë, shumë hektarë me pyje do të ishin kursyer.

Për ta mundur përfundimisht zjarrin e malit duhet dhe aviacioni zjarrfikës por në këtë pikë jemi akoma në nivelin zero. Po kthehem përsëri disa vite mbrapa. Të rriturit i mbajnë mend aeroplanët An-2 të Laprakës që spërkatnin rregullisht produktet bujqësore anë e mbanë vendit. Montoheshin pajisjet e posaçme dhe me ditë të tëra bënin vajtje ardhje nga baza e Laprakës për në vendin e spërkatjes (plehra kimike të lëngshme ose kokrizorë). Me modifikimet e nevojshme mund ta bënin edhe punën e zjarrfikësit (me furnizim në tokë, kuptohet), por u pa si më e “arsyeshme” të shkatërrohen. Mjafton të kujtoj se An-2 ka filluar të prodhohet në vitin 1947 dhe ka dalë nga prodhimi në vitin 1992, duke mbajtur për një kohë të gjatë rekordin e jetëgjatësisë në prodhim. Helikopterët janë një mjet efikas për luftën kundra zjarrit dhe ne kemi disa që mund ta bëjnë këtë punë dhe midis tyre një Mi-8, më i miri dhe më i madhi që kemi patur ndonjëherë. Mjafton të blihet koshi i ujit që varet në çengel dhe të stërviten pilotët për këtë punë. Edhe për helikopterët e tjerë po e njëjta gjë, por fakti është se kur duhen përdorur “bombarduesit me ujë”, preferohet të paguhet shumë më shtrenjtë ndihma nga jashtë! Dhe këtë ndihmë e kërkojmë (kjo është për të vënë kujen), edhe nga Maqedonia e Mali i Zi, të cilët kur u ndanë nga Jugosllavia kishin vetëm vetura Zastava (Fiat 600).

Për inat të skrapistëve, mora një kamion 6x6, një çisternë dhe një motopompë dhe pasi punova në kompjuter nja dy-tri orë (më shumë për argëtim), realizova një zjarrfikëse 6x6 që nuk ka zjarrvënës në Shqipëri që ta ndalë. Kush nuk bindet për këtë, le të hedhë një sy mbrapa malit që ka pranë shtëpisë së tij dhe do të shohë se druvarët që presin pyjet, s’njohin asnjë pengesë me kamionët e tyre IFA 4x4 të privatizuar që 20 vjet më parë. I kënaqur që “shpika” makinën të cilën bota e njeh që nga koha e Benzit dhe Daimlerit, i kthehem sërisht punës, por këtë radhë me një objektiv më madhor: të konvertoj në zjarrfikëse tërheqësin e artilerisë së rëndë ose diagaçin, siç e quajnë ushtarakët. Me këtë mjet që s’di të ndalet, zjarrit as që do t’i shkonte ndër mend të bëhej i gjallë në pyjet tona. Si për ironi, fotoja e diagaçit është bërë gjatë një stërvitjeje në Zall-Herr, pak çaste pasi ushtria i vuri zjarrin për të argëtuar "ndërkombëtarët" e pranishëm me djegien e dy tankeve, një MiG-17UTI dhe diagaçit! Dhe për të shuar zjarrin erdhën tre zjarrfikëse, dy nga të cilat ishin të stacioneve të qytetit!

Bota i ka bërë me kohë të tilla mjete dhe vazhdon t’i përmirësojë çdo ditë. Mjafton të kërkosh në internet dhe gjen me dhjetëra shembuj ku mjetet zjarrfikëse ose të emergjencës civile për veprime në zona malore, në mos janë të njëjta, të paktën janë realizuar mbi bazën e mjeteve ushtarake, sepse këto mjete kanë kritere të tjera në projektim dhe për rrjedhojë i përballojnë më mirë vështirësitë. Kudo në botë, mjetet ushtarake llogariten për t’u mbajrur në shërbim për një kohë shumë më të gjatë se ato civile. Kur ndodhemi përpara një situate të vështirë, nuk llogaritet viti i prodhimit të mjetit, konsumi i karburantit, marka apo vendi ku është prodhuar, por vetëm aftësia për të shkuar në vendngjarje dhe normalizimi i  situatës.

Këtë e dinë të gjithë, por në Shqipëri vazhdojnë të bëhen “blerje të gabuara”. Mjafton të them se vitin 2011, Drejtoria e Mbrojtjes Civile bleu Hyundai “Santa Fe” për të qenë sa më shpejt dhe sa më pranë zonave problematike, në një vend ku edhe udhëtimi për në Parkun Turistik të Dajtit konsiderohet një itinerar për specialistët e off-road.



Skoda 706 RTHP, IMG_4845

 Në Tiranë, në fund të viteve 70-të, “Liaz 101.860_Karosa” (ose thjesht “Karosa”) zëvendësoi modelin Skoda në Stacionin Qëndër (aty ku sot është Gjykata e Apelit), ndërsa Stacioni Kombinat kishte dy Skoda. Ashtu si “Skoda 706”, edhe “Karosa” është me skemën 4x4, por në jetëgjatësi, Skoda ka dalë e fituar. Aty nga viti 1992-93, vijnë zjarrfikëset e përdorura “Dennis” me të cilat zëvendësohen “Karosat” e reja, të cilat i kalojnë ushtrisë. Sot, “Skodat” dhe “Karosat” e përbuzura vazhdojnë me devotshmëri luftën kundra zjarrit, ndërsa “Dennisa” e fundit e Tiranës ka dalë nga shërbimi që më 2005-ën. 


Liaz 101.860_Karosa, 100_003

   

Zjarrfikese imagjinare_ATS 712, IMG_8364-2

Mjete ushtarake, Zil-157, 100_1572

Mjete ushtarake, Zil-157, 100_400


Mercedes 1017_Bachert, 100_4875

 Zjarrfikësja Mercedes Benz 1017 e Stacionit Kinostudio është e vetmja 4x4 qytetin e Tiranës. Fotoja është bërë në një rrugë të Lagjes Kombinat dhe tregon qartë se edhe kjo rrugë e paasfaltuar si shumë e shumë të tjera, ka vështirësitë e veta. Po të shikoni rrotën e pasme, vetëm rrota e jashtme është e mbështetur mbi gungë, ndërsa e brendëshmja ndodhet në ajër. Zjarrfikësja është bosh dhe po kthehet për furnizim, por në rast se do të kishte ngarkesë, kjo rrotë do të mbante edhe peshën e shoqes së saj hileqare. Pavarësisht se është një mjet 4x4, gomat janë për asfalt dhe nuk e përballojnë gjatë këtë punë.

Edhe Mercedes Benz 1113 është 4x4 dhe Durrësi ka tre të tilla, përveç asaj që ndodhet në Gjirokastër dhe një tjetre në Laç. 

 


Mercedes 1113_Bachert, 100_4836

   

Zjarrfikėse 4x4, 100_1390