KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Zjarrfikėsit e Tiranės

Zjarrfikësit e Tiranës

Publikuar më 14.08.2012

Me zjarrin e pyllit nuk matemi dot dhe ndërsa presim që të shuhet vetë, le të shohim se ç’bëjnë zjarrfikësit në qytet dhe konkretisht në Tiranë. Nga shkrimi tjetër u kuptua që zjarrfikëset i paskemi për qytet, por e keqja qëndron në faktin se ato i kanë prodhuar të huajt dhe ata me qytet kuptojnë diçka të ndryshme nga qytetet tona. Së pari, kanë një sistem adresash, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve të Tiranës (mjafton shembulli i kryeqytetit për të gjithë vendin) nuk janë gjendje të japin një adresë të saktë me emër rruge dhe numër banese. Së dyti, rrugët e zonave të banuara janë të asfaltuara, të organizuara në sensin e qarkullimit dhe të parkimit. Shpesh herë zjarrfikësit tanë kalojnë minuta të tëra për të larguar makinat e parkuara, sepse në rrugicat e qytetit mund të kalojë vetëm një veturë me pasqyra mbyllur.  Së treti, ndërtimet pa kriter e bëjnë të pamundur kalimin e zjarrfikëseve në shumë zona të qytetit dhe pavarësisht se është fakt i njohur prej kohësh, përsëri gjendet dikush që ndërton akoma në këtë mënyrë dhe për më tepër, gjenden edhe disa që pranojnë me dëshirë të banojnë në tilla kurthe. Pa e zgjatur më shumë, po jap nja dy shembuj për vështirësitë me të cilat ndeshen zjarrfikësit e kryeqytetit.

Rasti i parë është një zjarr pranë Kryegjyshatës te Rruga Mumajezve (te Rruga Ali Demi, pas poligrafikut). Kjo rrugë me kalldrëm ka pas ekzistuar, sepse shërbente për disa objekte industriale, ndërsa popullimi i zonës kodrinore me banesa të ulëta është bërë pas viteve 90. Pikërisht në këtë rrugë kodrinore të prishur si mos më keq u desh ndërhyrja e zjarrfikësve të Tiranës. Zjarri përfshiu një objekt industrial në majë të kodrës dhe për shuarjen e tij ërdhën zjarrfikëse nga katër stacione të Tiranës. Pata rastin të vëzhgoj zjarrfikësen “Iveco 175-14” (e targuar Policia 0903) të Stacionit Kombinat në momentin që la Rrugën Ali Demi dhe i duhej të kalonte përmes disa rrugicave të shkatërruara dhe të mbërrinte në vendngjarje me ngjitjen e vështirë të rrugës kodrinore. Kjo ishte pjesa më e vështirë e punës për këtë mjet të ngarkuar me 7 ton ujë (është ndihmëse që furnizon zjarrfikësen kryesore). Në këtë terren miks, ku herë gjeje kalldrëm, herë zhavor, herë gurë të thepisur dhe më pas rrugë të butë dheu me kurriz të lartë, makina tundej majtas e djathtas, ku zhurmës së motorit i shtohej dhe kërcitja e frikshme e shasisë dhe balestrave, por mbi të gjitha ndjehej era e friksionit që po digjej. Mbërriti në majë në atë gjendje, sa mezi mundi të rinisej përsëri dhe u deshën 2-3 minuta për të nxjerrë rrotat nga brazda e rrugës. Përpara saj ishte ngjitur edhe Iveco me tre akse dhe 12 ton ujë.



Zjarrfikesit e Tiranes, 001

Zjarrfikesit e Tiranes, 002, IMG_9559
 

Zjarrfikėsit e Tiranes, 003

Zjarrfikėsit e Tiranes, 004, IMG_9566


Zjarrfikesit e Tiranes, 005

Zjarrfikesit e Tiranes, 006
 
Për shkak të depozitës së ujit, qendra e rëndesës e një zjarrfikëseje është e lartë dhe kjo e ul qëndrueshmërinë ndaj lëkundjeve anësore.


Zjarrfikėsit e Tiranės, 008, IMG_9581.

Zjarrfikėsit e Tiranės, 009, IMG_9593
 

Zjarrfikėsit e Tiranės, 010

Zjarrfikėsit e Tiranės, 011

 Rasti i dytë ka të bëjë me zjarrin që ra te një shtëpi në Rrugën Ferdinant Deda e cila ndodhet 300 metra në jug të aksit të Fushës së Aviacionit në Laprakë dhe 500 metra në vijë ajrore nga Stacioni Qëndror Zjarrfikës. Për zjarrfikësit ishte një zjarr te dera e shtëpisë, por praktikisht me vështirësi për shoferët. Ndodhesha te fusha dhe sa pashë tymin që u ngrit lart, u nisa menjëherë. Sapo dola nga kafeneja, hyri në fushë “Zjarrfikësja e Parë e Stacionit”, një “Mercedes-Benz 1019” dhe u drejtua me shpejtësi pas hangarëve të helikopterëve. Këtu është sajuar si mos më keq një rrugë përmes gardheve të shtëpive dhe vitin e shkuar u asfaltua. Pas dy-tre kthesash të rrezikshme vjen dhe Rruga Ferdinat Deda e cila, ashtu si të gjitha rrugicat e ndërtuara në zona të tilla anë e mbanë vendit, ekziston vetëm nga fakti se duhet të kalonte “Dum-Dumi” me tulla dhe llaç për banorët që ndërtonin shtëpitë kurriz më kurriz e brinjë më brinjë. Dhe zjarrfikësja, duke u përdredhur në gropat dhe gungat, arriti të futet në këtë rrugicë të gjerë sa pasqyrat e saj. Zjarri ndodhi me shpërthim dhe në pak çaste shkrumboi çdo gjë. Ekuipazhi kërkoi ndihmë dhe në pak çaste vjen dhe “Iveco 175-24” me 12 ton ujë në bark. Me më shumë vështirësi se të tjerat për faktin se ka tre akse, afrohet në vendngjarje dhe fillon punën me dy tuba për furnizimin e zjarrfikëses së parë, e cila nga ana e saj, godet flakët me tre tuba. Duhet përsëri ujë dhe kërkohet ndihma e Stacionit Kombinat, prej të cilit niset një “Iveco 145-17” (në Stacionin Qendër ka edhe një të tillë, por duhet mbajtur në gadishmëri për ndonjë rast tjetër). Niset zjarrfikësja e kombinatit dhe menjëherë fillojnë tringëllimat e telefonave, sepse fillimisht ka probleme me trafikun (te sheshi i Kombinatit Ushqimor sapo ka ndodhur një vrasje) dhe më pas duhet ditur me saktësi nga ç’anë të futet për të mbërritur atje ku duhet. Në të tilla zona ndodh shpesh që hyn diku dhe mbetesh i bllokuar në mes të rrugës. Jep e merr me telefon, hyr këtu e ktheu atje, më në fund mbërrin dhe ndihma e kombinatit. Por më e keqja tani fillon, sepse më parë duhet të dalë zjarrfikësja me tre akse që sapo e mbaroi ujin dhe për të dalë nga ajo vrimë duhet ecur nja 100 metra mbrapsht. Me t’u kryer ky heroizëm, futet makina tjetër dhe tani zjarri shuhet me “ujë kombinati”. Në përfundim, edhe dy makinat e mbetura duhet përsëri të ecin mbrapsht.

Histori të tilla në rrugë dhe jashtë rruge janë pjesë e punës së përditshme të zjarrfikësve të kryeqytetit.

 


   

Zjarrfikėsit e Tiranės, 015

Zjarrfikėsit e Tiranės, 016

Zjarrfikėsit e Tiranės, 017

   

Zjarrfikėsit e Tiranės, 018

Zjarrfikėsit e Tiranės, 019

Zjarrfikėsit e Tiranės, 020


Zjarrfikėsit e Tiranės, 012

Sikur ky “ZIL-151” të kishte gojë për të folur do të thoshte: “më ndërroni filtra dhe kandele, më mbathni këpucët e dimrit dhe që të mos u vijë rëndë nga pamja ime, më jepni dhe një bojë të bukur dhe pastaj di unë si shëtis nëpër ato shtigje që ju Tiransit i quani rrugë”. Kundrejt zjarrfikëseve që u përmendën më sipër, është më e vjetër, më pak e fuqishme, konsumon më shumë karburant dhe mbart më pak ujë, por ka 6 rrota aktive dhe mund të shkojë atje ku nuk e imagjinon asnjëra prej tyre. Pa folur për pasardhësen e saj “ZIL-157”, pamja e të cilës e tregon qartë se ku mund të shkojë.
Por fati i tyre është paracaktuar nga skrapisti, ndërsa për të parë një zjarrfikëse për punë të rënda, ja ku kemi një Unimog nga Gjirokastra.


Zjarrfikėsit e Tiranės, 013

 Në momentin që e mbylla shkrimin u dha “alarmi” për zjarrin në Malin e Dajtit dhe për ta shuar, ashtu si vitin e shkuar, menjëherë kërkua të vijë helikopteri që hedh ujë nga lart. Të tërë e mbanin mend këtë marifet që e përdor bota. Shikoni pak: zjarri ka përfshirë një zonë që ndodhet 500 metra mbi Regjimentin e Helikopterëve në Farkë dhe ky regjiment (Baza Ajrore e quajnë tani) ndodhet 1 kilometër larg Liqenit të Farkës. Një trekëndësh fenomenal, ku baza është liqeni dhe regjimenti, ndërsa kulmi është zjarri në mal. Helikopteristët tanë që stërviten pranë faqes së malit, e shohin dhe u vjen keq që e shpenzojnë karburantin vetëm për t’i ardhur rrotull, ndërkohë që shpresojnë se një ditë do ta kenë atë koshin e mallkuar që varet te çengeli poshtë helikoperit. Do t’u vijë plasja kur të shohin ndonjë koleg maqedonas që vjen të shuajë zjarrin te shtëpia e tyre.