KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Range Roveri Presidencial

 

Range Roveri Presidencial

Publikuar më 19.11.2012

Një “sekretar i parë” dhe katër “presidentë”: kaq janë funksionet e shtetarëve të lartë të cilëve u ka shërbyer ky “Range Rover V8 Vogue”. Me këtë jetëgjatësi në shërbim të kreut të shtetit shqiptar, pa frikë mund të thuhet se ky Range Rover ka vendosur një rekord “për shërbim ndaj numrit një të shtetit”.

Kjo makinë ka ardhur për Ramiz Alinë pak kohë pasi u zgjodh Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, duke zëvendësuar në detyrën e “makinës së malit” një “Jeep Cherokee”. Së bashku me Mercedesin 380 SEL model W126 (i pari i këtij lloji në Shqipëri), janë dy makinat që shoqëruan Ramiz Alinë në detyrën e Presidentit të Republikës. Më pas vazhdoi me Presidentët Berisha, Mejdani dhe Alfred Moisiu. Në kohën e Presidentit Moisiu pëson një defekt në motor dhe prej asaj kohe asnjë nuk e ngau me dorë. Gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë i parkuar në oborrin e pasëm të klinikës qeveritare së bashku me tre vetura të tjera. Por kjo e kaluar presidenciale nuk e ndihmoi aspak për të zënë një vend historik në parkun presidencial, sepse nja dy-tre muaj më parë dhe saktësisht më 23 gusht 2012, forcat e ushtrisë nuk hezituan që ta lidhin me litar dhe ta hedhin mbi karrocerinë e një kamioni ushtarak. Nisur nga fakti që tre vetura duheshin ndarë në dy kamionë, për shkak të përmasave më të mëdha të karrocerisë (kështu mendoj unë), “Rangu Presidencial” pati “privilegjin” të udhëtonte mbi një kamion të veçantë, ndërsa dy veturat e tjera që nuk kanë ndonjë të kaluar të veçantë, u ngjeshën njëra mbi tjetrën te kamioni i dytë.

Makinat shkuan drejt kombinatit dhe do të jetë gjynah po qe se dikush ka menduar të bëjë skrap me të. Këtë dyshim e bazoj në faktin se makina u ngrit me vinç, ndërsa vendi ku ishte parkuar e lejonte të transportohej lehtësisht dhe pa dëme me anë të një karroatrece. Shpresoj shumë që të jem gabuar në këtë arsyetim dhe të ketë ndodhur pikërisht ajo që i pata thënë disa miqve të mi që e kanë nga një ofiçinë: merreni dhe restaurojeni, i vendosni në ndonjë cep pllakëzën me emrin e ofiçinës dhe kthejani presidentit me një ceremoni zyrtare. Vlen sa të gjitha reklamat e tjera së bashku. Presidentët do të krenohen që kanë në parkun tyre një nga krijesat më të bukura të industrisë automobilistike, e vetmja që ka zënë vend në Muzeun e Luvrit.

 



Range Rover V8, 100_002

Range Rover V8, 100-003
 

Range Rover V8, 100-004

Range Rover V8, 100-005