KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Korsia e Rezervuar 2
 Korsia e rezervuar bëhet rrugë e gozhduar.

Publikuar më 22.11.2012
Fotot përditësohen sipas rastit.

Nisur nga mënyra se si është zhvilluar Tirana në këta 20 vjetët e fundit (nuk bëjnë përjashtim qytetet e tjerë), ka ardhur momenti që të mendohet seriozisht për të shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohet. Pasi po dalin jashtë funksioni mjetet private, ajo që duhet shpëtuar në këtë moment është mundësia e lëvizjes me mjetet e transportit publik dhe mundësia për të pasur ndihmën e shpejtë në rast nevoje. Në këtë pikë, programuesit e transportit qytetas duhet të kenë ide të qarta, të studiuara dhe t’i zbatojnë me vendosmëri.

Korsia e rezervuar nisi të zbatohet gjatë rikonstruksionit që u krye te Rruga e Durrësit  (sot Dritan Hoxha) në segmentin Zogu i Zi – Dogana, përgjatë të cilit, në të dy anët e rrugës u vendosën elementë prej betoni në formën e gjysmësferës. Për shumë kohë mbeti e pashfrytëzuar, ndërkohë që dëmtohej dita ditës nga pakujdesia apo qëllimisht.

Një shembull tjetër i paqartësisë së ideve është realizimi i korsive të tilla në rrugët “Dëshmorët e 4 Shkurtit” (nga banka te gjykata e lartë), “Myslym Shyri” (te Ministria e Mbrojtjes) dhe “Rruga e Barrikadave” në të gjithë gjatësinë. Këtë radhë u përdorën blloqe betoni me formë drejtkëndore dhe asfalti që u derdh rreth tyre nuk e lejonte çmontimin në ndonjë rast nevoje. Mund të ishte përdorur ndonjë metodë më e thjeshtë dhe koha e vërtetoi. Sot janë prerë të gjithë blloqet dhe në asfalt kanë mbetur gjurmët e një shpenzimi të vajtur dëm. E keqja e kësaj metode qëndronte në faktin se blloqet ishin të lartë dhe nuk mund të kapërceheshin nga mjetet në rast nevoje. Korsia e rezervuar është më tepër një nocion sesa një mur i pakalueshëm. Vetë artikullshkruesi ka qenë prezent kur një autobuz plot me pasagjerë është detyruar ta përshkojë gjithë segmentin e Ministrisë së Mbrojtjes duke ecur mbrapsht, vetëm prej faktit se në krye të rrugës kishte mbetur një autobuz tjetër me defekt. Në një qytet si Roma, ishte gjë e zakonshme kur autobuzët kalonin mbi kufizuesin plastik sa herë që ndeshnin përpara tyre ndonjë mjet të prishur. Por kjo ishte parashikuar, prandaj ishte bëre me segmente plastikë dhe jo me blloqe të mëdhenj e të pakalueshëm prej betoni. Përveçse të pakalueshëm, ata janë dhe shumë të rrezikshëm, sepse kanë tehe të mprehtë dhe mund të dëmtojnë rëndë gomat ose motoçiklistët që mund të rrëzohen gjatë aksidenteve.

Në tetor 2010 fillon të realizohet korsia e rezervuar në unazë dhe në Rrugën e Kavajës, por këtë radhë me elemente plastikë që vidhosen në asfalt. Fillimisht u duk se kjo punë do të realizohej siç duhej, por nuk qe e thënë, sepse ishte një ide e paqartë dhe e zbatuar keq. Si në unazë, ashtu dhe në Rrugën e Kavajës u realizuan disa segmente të shkëputur që më shumë krijuan probleme se sa lehtësim të transportit urban. Në disa segmente apo kryqëzime nuk u mbajt parasysh rezja e kthimit dhe hapësira e nevojshme që i duhet një autobusi për të hyrë dhe për të dalë prej saj, si dhe fakti që lejohej parkimi vetëm disa metra përpara ose pas përfundimit të saj. Me hapësira të tilla as veturat nuk mund të futeshin kollaj. Aq i pa studiuar ishte ky plan, sa u arrit të realizohej një korsi e tillë edhe në Bulevardin Dëshmorët e Kombit (para Hotel Dajtit) dhe në Rrugën Muhamet Gjollesha (te shkolla Sabaudin Gabrani), aty ku më parë është realizuar një zgjerim për parkim. Vetëm pak orë qëndruan si të tilla, sepse me një urdhër të dytë u çmontuan menjëherë. Ato të mëparshmet që u realizuan me blloqe betoni kanë kohë që janë “qethur”, por rrënja e mbetur në asfalt të gënjen dhe të krijon idenë se është vijë e bardhë, por në shumë raste janë gropa të rrezikshme që e hedhin me këmbë përpjetë një motoçiklist që nuk e njeh zonën. Por e keqja më e madhe është kjo që po jetojmë tani, pasi pjesa më e madhe e rrugëve të tilla është pranë shkatërrimit përfundimtar dhe në vend të vijës me segmente plastikë ka mbetur vetëm një vijë e rrezikshme me bulona 5-6 centimetra mbi asfalt. Kjo është dëshmia e papërgjegjshmërisë dhe e faktit që siguria rrugore është vetëm një koncept teorik në mendjen e pak njerëzve, ndërsa zbatimi praktik është akoma larg. Nuk duhet lënë pa përmendur dhe fakti që policia nuk e ka konsideruar ndonjëherë si shkelje të rregullave të qarkullimit, kalimin në korsinë e rezervuar të mjeteve që nuk kanë të drejtë të kalojnë në të. Përkundrazi, policia është vetë ndër ata që abuzojnë me këtë të drejtë, duke e përdorur edhe në raste që ecën normalisht.

 

 Pas rrugës Dritan Hoxha te pallati i sportit, rruga Dëshmorët e 4 Shkurtit ishte e dyta që rikonstruktohej duke krijuar dhe korsinë e rezervuar. Blloqet e thepisur u vendosën pas shtesës së parë të asfaltit dhe shtresa e fundit i lidhi e i bëri njësh me rrugën. Ajo që duket tani është rrënja e mbetur në asfalt. 


 

 

 

 

Korsia e rezervuar, DSC07340

Korsia e rezervuar, DSC04487

 

   

Korsia e rezervuar, DSC09833

Korsia e rezervuar, DSC09960

Korsia e rezervuar, DSC09962

<<  1    3   10   >>