KREU
   
MAKINA
   
AVIACIONI
   
HEKURUDHA
   
TRANSPORTI PUBLIK
   
TRANSPORTI DETAR
   
MAKINERI PUNE
   
SHERBIME
   
AKTUALITET
   
MOTOR-SPORT
   
TE REJAT
   
KONTAKT
 
  
 Share
Shkrimet nė autobusa
 Shkrimet në autobusë
Publikuar më 19.08.2014
Fotot dhe shkrimi mund të përditësohen sipas rastit.

Pte de Versailles, Champ de Mars, Gare de Lyon, Châtelet, Saint-François-Xavier, Wien-Südtiroler Platz, Bajer-Bus, Baden Josefsplatz, Deposito, Ej i trafik, Zeeland... etj, këto janë disa nga emrat e shkruar në ballinat e autobusëve të transportit publik në Tiranë, duke krijuar idenë se kryeqyteti ynë është qendra prej nga nisen autobusët drejt kryeqyteteve, qyteteve, shesheve, rrugëve dhe rrugicave të mbarë Evropës. Një mrekulli e vërtetë kur sheh autobusë që mbajnë emërtimet “Fushë Krujë” në një anë dhe “Champ de Mars” nga ana tjetër; kur përpara operas në Tiranë kalon autobusi që shkon te “Opéra” në Paris. Kombinime të tilla kanë arritur deri atje sa autobusi që shkon te varrezat në Salamanca (Spanjë), në Tiranë punon te varrezat e Sharrës. Mjaftojnë 30 minuta qëndrim te “Zogu i Zi” dhe sheh të kalojnë autobusë me emrat e stacioneve të Parisit, Vjenës, Amsterdamit e shumë qyteteve të tjerë, deri edhe nga Estonia. Të tëra gjuhët e Evropës, madje në linjën e unazës të duhet dhe fjalori i kinezçes! Kjo është pamja që i jepet publikut vendas dhe të huaj nga një pjesë e linjave të transportit publik në Tiranë. Imagjinoni një turist që vjen në Shqipëri dhe befasohet kur në Sheshin Skënderbej i del përpara një autobus me numrin dhe emrin e linjës që kalon pranë shtëpisë së tij. Ka autobusë që përdoren prej vitesh në Shqipëri dhe brenda tyre janë akoma shkrimet që udhëzojnë pasagjerët për mënyrën e sjelljes në autobus. Leximi i tyre është një shkollë e madhe jo vetëm për personelin që shërben në autobusët tanë, por edhe për udhëtarët në përgjithësi. Sektori përkatës në bashki duhet t’i studiojë këto shkrime dhe simbole që kanë të bëjnë me edukatën, të veçojë ato që na përshtaten dhe të shqipëruara me kujdes të vendosen në të gjithë autobusët tanë. Deri dy-tre vjet më parë, pa ardhur akoma autobusët “Irisbus”, gjendja ishte vërtet qesharake, ku çdo autobus përbënte një temë nga gjeografia e Evropës. Me ardhjen e autobusëve të rinj, u kuptua që duhet shkruar një emër te ballina e autobusit dhe me këtë rast, nisën ta përdorin edhe te disa autobusë të vjetër. Siç ndodh shpesh tek ne, që në fillim u vu re keqpërdorimi i kësaj tabele nga ana e shoqërive që kryejnë transportin publik, ku përveç emrit të linjës, gjetën rastin të shkruajnë dhe t’i bëjnë publicitet dhe kompanisë përkatëse, bashkisë e të tjera shkrime të panevojshme dhe që hutojnë udhëtarët. Nuk është çudi, kur ndonjë ditë të lexojmë horoskopin, parashikimin e motit ose titujt e gazetave! Brenda autobusëve u vendosën ekrane televizioni ku shfaqen pa pushim reklama nga më të ndryshmet, duke i kthyer ato pak minuta udhëtim në një terror psikologjik. Kjo, në një kohë që mungojnë dhe shkrimet më elementare për edukatën e qëndrimit në autobus. Shoferët vazhdojnë me zakonin e vjetër të personalizimit të autobusit me gjithfarë flamujsh sportivë, fotografi femrash e politikanësh dhe, akoma më e tmerrshme, është ajo lloj muzike që ata e quajnë “popullore”! Por le të shohim pak se çfarë shkruhet zakonisht  te një autobus i transportit publik.
Siç mund ta kenë parë vëzhguesit e vëmendshëm  që kanë udhëtuar jashtë, një autobus i transportit publik ka këto elemente dallues:
1. Numri i linjës. Zakonisht ka dy ose tre shifra të mëdha dhe vendoset nga e djathta e ballinës. Së pari, kjo lehtëson identifikimin e linjës pa qenë nevoja të vendosen emra objektesh (fabrika, shkolla, kafene, etj), pasi pranë një fabrike apo shkolle mund të kalojnë disa linja me itinerare të ndryshme. Për shembull, në “Kombinat”, “Kinostudio”, “Porcelan”, “St.Trenit”, etj, kalojnë disa linja që puqen në këtë pikë, por pjesa tjetër e itinerarit është e ndryshme. Në tabelën e vendosur në stacion, secilit numër i korrespondon një itinerar i plotë me emrat e stacioneve të linjës dhe çdo udhëtar ka mundësi të sqarohet se ç’numër (autobus) duhet të marrë dhe ku duhet të zbresë për të arritur në destinacion. Në Tiranë nuk është realizuar akoma, ndërsa Shkodra ka 4 linja me itinerarin përkatës në tabelën e stacionit. Së dyti, jo vetëm që dallohet më lehtësisht nga larg, por zë më pak vend dhe kjo lejon të shkruhet mirë dhe bukur emri i stacionit fundor të linjës.
2. Emërtimi i vendmbërritjes. Nisur nga drejtimi i lëvizjes, shoferi shkruan në ballinë emrin e stacionit fundor, në mënyrë që udhëtarët ta kenë të qartë se për ku është drejtuar autobusi. Pasi mbërrin në stacionin e fundit dhe kthehet për të lëvizur në drejtim të kundërt, shoferi shkruan emrin e stacionit fundor në skajin tjetër të linjës. Kjo gjë bëhet thjeshtë, me anë të funksioneve të tastierës që ka pranë, por më parë duhet mësuar. Tek ne, gabimisht mbahen të shkruara të dyja drejtimet në të njëjtën kohë dhe ata udhëtarë që nuk e njohin qytetin, e kanë të vështirë të kuptojnë se për ku është drejtuar autobusi që vjen drejt tyre. Nuk është rastësi që ka shumë udhëtarë që pyesin përpara se të hypin në autobus, pa folur për ata që janë të pamësuar dhe nuk i lexojnë fare shkrimet. Në shumë linja vendosen edhe katër emërtime që mbahen të pandryshuara.
3. Numri i autobusit. Ky është numri rendor që ndërmarrja e transportit publik të qytetit i jep çdo mjeti që disponon. Ky numër vendoset një herë dhe e shoqëron mjetin deri në fund të jetës, pavarësisht nga ndryshimi i targës ose i ngjyrës, por mund të ndryshojë kur mjeti kalon në një qytet tjetër. Ky numër mund të ketë disa shifra (varet nga numri i mjeteve) dhe zakonisht shënohet në skajet e karrocerisë, por mund të vendoset edhe brenda autobusit, në mënyrë që udhëtarët të kenë mundësi identifikimi për çdo rast kur kërkojnë ose japin informacion. Për këtë, mjafton të shohim autobusët e përdorur që vijnë në Shqipëri. Tek ne funksionon pjesërisht dhe në mënyrë të gabuar. Prishja e ndërmarrjes së transportit publik në Tiranë ka bërë që shoqëritë e shumta që kryejnë aktivitet në linja të veçanta t’i bëjnë punët ashtu siç dinë dhe siç kanë interes ato. Secila prej tyre i numëron autobusët duke filluar nga “njëshi” dhe kjo ka bërë që në Tiranë të ketë disa autobusë të së njëjtës markë, me të njëjtën ngjyrë dhe me të njëjtin numër! Pavarësisht nga numri i shoqërive të transportit, numri i autobusit duhet dhënë nga një autoritet qendror, i bazuar në numrin e përgjithshëm të autobusëve të një qyteti. Gabimisht ky numër vendoset te ballina e autobusit, në vendin ku duhet të ishte “numri i linjës”. Fatkeqësisht, Tirana nuk e ka akoma një organizim të tillë, por prej vitesh flitet që po kryen studime!
4. Numri i autobusit në linjë. Ky numër tregon se cili është vendi i çdo autobusi në renditjen e përgjithshme të autobusëve gjatë një dite pune p.sh., “i pari”, “i pesti”, etj. Sipas grafikut ditor, autobusët nuk dalin në punë në të njëjtën orë çdo ditë (ka edhe ditë pushimi) dhe për rrjedhojë, ky numër ndryshon sipas këtij grafiku. Zakonisht ky numër përbëhet nga dy ose tre shifra me lartësi jo më shumë se 10 cm dhe ndodhet në pjesën e poshtme të xhamit, nga e djathta. Nuk mund të them me siguri se përdoret në të gjitha vendet, por në disa prej tyre e kam parë. Tek ne ky numër nuk përdoret fare, pavarësisht se disa nga autobusët që kanë ardhur të përdorur e kanë.
Duke e zgjeruar pak këndvështrimin, shkrimet e panevojshme në gjuhë të huaj gjenden në të gjitha mjetet e transportit që vijnë të përdorura, përfshirë edhe hekurudhën. Shumë autobusë qarkullojnë prej vitesh me emrat e kompanive të origjinës, ose shkrime publicitare nga qytetet prej nga kanë ardhur. Akoma më e turpshme është pamja e disa autobusëve të ushtrisë, që qarkullojnë me ngjyra, simbole dhe emra të shoqërive të huaja dhe vetëm targa ushtarake i dallon si të tillë. Ashtu si në shumë autobusë të transportit publik, edhe te autobusët e ushtrisë vendosen flamuj dhe simbole nga sporti botëror, aq sa dhe truproja e nderit udhëton si tifoze e “Borussia-Dortmund”! Autobusët e përdorur që vijnë në Shqipëri kanë nga një kornizë ku parashikohet vendosja e reklamave, ndërsa te ne mbetet i pambuluar nga reklamat vetëm xhami përpara shoferit, duke e ngushtuar rrezikshëm fushëpamjen anësore! Mendoj se ka ardhur koha që përpara targimit të mjeteve ose gjatë kontrollit periodik, të kërkohet që të jenë pastruar nga këto lloj shkrimesh dhe të mbajnë vetëm emrat e kompanive përkatëse për të cilën janë regjistruar në Shqipëri. Kuptohet, për disa do të jetë një shpenzim jo i vogël. Në vitin 1986, kur erdhën në Tiranë autobusët e përdorur “Mercedes” dhe “Saviem” (ngjarje që akoma përbën kulmin në nivelin e shërbimit në transportin publik), për të tëra mjetet u përgatitën shiritat me emërtimin e linjave dhe shoferët e ndërronin sa herë që autobusi kalonte nga njëra linjë te tjetra, ose kur shkonte në park. Sa për ngjyrat, mbetën ato origjinalet, sepse zor se dikush do të hapte qesen për një punë të tillë, por edhe traditë nuk kishte. Sot, në Tiranë, vetëm tre-katër kompani kanë ngjyrë të përcaktuar, ndërsa të tjerët vazhdojnë sipas rastit. Për nderin dhe dinjitetin e qytetit, bashkia duhet të përcaktojë një ngjyrë për transportin publik, ndoshta duke lejuar edhe disa dallime ndërmjet shoqërive të ndryshme, sepse paratë për të lyer autobusët shpenzohen, po secili i bën sipas dëshirës! Për momentin, mendoj se duhet një ngjyrë e vetme (e plotësuar me elemente stilistikë të zgjedhur), e cila do të bëjë që udhëtarët të mësohen ta zgjedhin autobusin nga shkrimet dhe jo nga ngjyra. Kjo do të bëjë që edhe shoqëritë e transportit t’i plotësojnë siç duhet shkrimet përkatëse dhe shoferët të jenë më të vëmendshëm në ushtrimin e detyrës.


   

Gare de Lyon, IMG_4094

Gare de Chaville, DSC06377

Chatelet, IMG_2383

   

shkrimet kineze, DSC00093

Shkrimet kineze, DSC06697

Shkrimet kineze, DSC06701

   

flamuj te huaj, 100B7700

Charles De Gaulle, DSC08605

Dr Richard, Wien, 100_7775

   

Dr.Richard-Bajer, 100_6419

Dr.Richard, Watzke, IMG_2540

atac, 070303, 100_3681

   

Opera, DSC09177

Opera, IMG_2357

Pte de Versailles, IMG_0411

   

Gare de Chaville, DSC06371

Baden, IMG_3905

Deposito, IMG_0147

   

Madaleine, DSC01466

Shkrimet nė autobusa, 100_4615

Zeeland, DSC05747

   

Saint, DSC05751

Carretera-Cementerio, DSC05505

Depot, DSC00196

 <<  1  2  3  4  5  >>